Përsa i përket shtrirjes gjeografike të Labërisë, sipas Çabej: me këtë emër quhet ajo pjesë tokë jugperëndimore, kufiri i së cilës fillon te katundi Lazarat në jugë të Gjirokastrës. Kufiri lindor shkon prej Lazaratit për së gjati Malit të Gjerë dhe pjesës jugore të Malit të Picarit gjer në Tepelenë. Kështu vazhdon në perëndim të Vjosës kurse në të djathtë të lumit shtrihet vendi toskë në kuptimin e vërtetë të ngushtë të fjalës. Kufiri zë në veri katundin Mesaplik afër Vlorës dhe vazhdon gjatë një vije ideale që shkon prej Mesaplikut në Kudhësin e afërm; kufirin perëndimor e përbën deti. Zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë janë Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi, Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti, Dukati. Labçe këndohet gjithashtu në Zagorie, Lunxhëri, Malëshovë, Rrëzë e Tepelenës, Dragot, Kras, Izvor, Buz, Mallakastër, zona të cilat mund t’i konsiderojmë si rrethinat të Labërisë. Popullsia labe, nëndahet në “labë kristianë” (Rrëza e Tepelenës, Zagoria, Bregu i detit) dhe në “labë muhamedanë” (blloku qëndror i popullsisë). Në këndvështrimin e sotëm të ndarjes së mirëfilltë administrative, në Labëri bëjnë pjesë rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës. Lidhur me iso-polifoninë labe ekzistojnë mënyra të ndryshme të portretizimit dhe të shpjegimit muzikor të saj. Vetë të kënduarit polifonik nga populli konsiderohet misterioz dhe instiktiv, e në përgjithësi si një dukuri që mbart brenda reflekset e natyrës, zërat e natës e ato të tokës së Labërisë. Sipas Çabej: përshtypja që del prej polifonisë labe është mall i ashpër dhe shpirt heroik. Ky qëndrim popullor është përmendur edhe më përpara në punime të ndryshme kur thuhet se në këngët e malësorëvet, sidomos në jugë janë ruajtur akoma elemente të jetës baritore, imitim i këmborëve dhe i oshëtimave të natyrës. Po sipas traditës popullore, dikur thuhej se ka ekzistuar edhe një mënyrë e të kënduarit të iso-polifonisë, i kënduari natën, në kohën kur mbushej ujë në pus, apo për punëra të tjera. Për këtë në Labëri mendojnë se nata e kullon këngën, pasi të kënduarit natën dhe kënga e natës nuk ka mision. Rëndom në Labëri thuhet se ka “polifoni të thatë”, e cila nënkupton polifoninë që këndohet në mal, si dhe “polifoninë e detit”. Kjo është vënë re edhe nga Çabej kur thotë se katundet e Vlorës bashkohen me Himarën në këtë që këndojnë më shumë si me të shtyra, me hove, në mënyrë dallgash. Dugati me melodit’ e tija thellëkumbuese, Kurveleshi, Delvina, Gjinokastra, Lunxhëria e të tjera janë po aq qëndra ngjyrash lokale të këngëve labe. Iso-polifoninë e konstatojmë kryesisht tek burrat por edhe tek gratë, si dhe gati në të gjitha llojet e gjinive, duke filluar nga krijimet muzikore-poetiko me ngarkesë mitologjike e rituale, vallet, baladat e këngët historike, lirike, të dashurisë, të kurbetit, vajet, bejtet, etj,. Polifoninë e gjejmë edhe tek veglat muzikore, veçanërisht tek ato që janë polifonike qysh në ndërtim, si p.sh tek culadyjare. Në polifoni është kënduar në dasma, vaje, festa të ndryshme, përpara dhe pas betejave, në natyrë, etj. Së fundi, të gjithë e dinë se kur bëhen bashkë dy lebër nisin dhe këndojnë. Katalogu i disa këngëve popullore shqiptare regjistruar tek “ODEONI” në vitet 1930-1940.

Autori: Prof. Dr. VASIL S. TOLE ( Informacioni është marr nga www.vasiltole.com)