Iso këndohet nga kori i këngëtarëve. Zakonisht është zëri i tretë në këngën polifonike toske dhe zëri i tretë ose i katërt në këngën polifonike labe. Fakt është që në popullsinë e trevave iso-polifonike, krahas fjalës Iso përdoren edhe nje varg emërtimesh të tjera, si: grupi që “mban zë”, që “i mbushin” (mbushësit), që “zien”, “mbajnë e”, mbajnë Kaba” etj. Tek “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë 1980 kemi: ISO,~Ja f. 1. Zë i njëtrajtshëm, që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbeshtet zërat kryesore në një këngë me shumë zëra a një melodi. Iso e fortë (e gjatë, e ngadalshme). Isoja labe (myzeqare). Isoja e burrave (e grave, e të rnjve). Kënge me iso. Iso, more djema, iso! Këndojme (ia marrim) me iso. Mbaj (bëj) iso me zë (me fyell); tek “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 1985 kemi: tingull i zgjatur që mbahet nga një ose më shumë veta gjatë shoqërimit të këngëve polifonike me 3 dhe 4 zëra. Për të arritur në një përcaktim sa më real rreth isos është deri diku e vështirë pasi rreth saj ekzistojnë me të drejtë interpretime të ndryshme. Nuk dihet se kur fjala iso u përdor për herë të parë për të karakterizuar korrin e këngëtarëve që “mbajnë zënë”, por ka shumë mundësi që ajo si terminologji e përdorur nga vetë populli në muzikën polifonike jugore, të mos jetë më e vjetër se 200-300 vjet. Me sa kemi vënë re, ende sot në disa zona të konservuara të muzikës polifonike jugore, fjala “iso” ose nuk gjendet dendur ose përdoret krahas të tjerave fjalë që shërbejnë për të karakterizuar fenomenin e zërave të mbajtur gjatë nga korri i këngëtarëve. Në këto vende ideale për të konstatuar fenomenin e polifonisë kanë qënë përdorur dhe ende përdoren fjalë formimet tipike shqiptare për të karakterizuar këtë dukuri shumë të rëndësishme të polifonisë sonë popullore. Ndër këto forma përmendim: “ja mbush”, “mbajnë zënë”, “bëjmë e”, “mbajmë kaba”, “mbajmë avaz”, “ziejmë”. Theksojmë ekzistencën e këtyre varianteve në përcaktimin e kësaj dukurie, për faktin se fillimisht fjala “iso” në praktikën popullore nuk kishte fituar këtë kuptim, që me kalimin e kohës më pas e gjejmë të shkrirë në një të vetme tek kjo fjalë simbol. Ka shumë mundësi që fjala “iso”, të jetë ndihmuar në përhapjen e saj nga formacionet e sazeve popullore në gjysmën e dytë të shek. XIX, fillimi i shek. XX. Nga vështrimet e hollësishme mbi të, Isoja si koncept në muzikën popullore, në vetvete fsheh një strukturë të tërë e cila lidhet sa me prejardhjen e polifonisë por dhe kodin gjenetik të shqiptarëve. Iso-koncepti është një “extra musical sound”, i cili si i tillë ngelet fenomeni më i pa kontestueshëm i strukturës sonë gjenetiko-muzikore. Ajo nuk është kursesi një tingull i temperuar, sepse asnjëherë nuk ka qënë parakuptuar për të funksionuar si i tillë. Isoja mban shumë ndërthurje zërash rreth një qëndre e cila në tërësi përcaktohet si një notë e caktuar . Mënyra sesi kjo cluster-tonikë “popullore” identifikohet në intonacionin e saj është një problem tjetër, por Isoja brenda një cluster zërash mbi një notë fsheh “para projektimin grafik” të polifonisë. Njeri prej kapitujve të romanit “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë mban titullin “Iso për të gjitha pjesët”.
Autori: Prof. Dr. VASIL S. TOLE ( Informacioni është marr nga www.vasiltole.com)