Iso-polifonia 4-zërëshe konstatohet vetëm në folklorin muzikor lab. Themi kështu, pasi ajo formë e të kënduarit katër zërësh që hasim në iso-polifoninë toske të Skraparit, nuk ka arritur deri më sot të strukturojë një zë të katërt të plotë ashtu si në iso-polifoninë labe. Sipas Shitunit: nëse tradicionalisht, më e përhapur ka qënë polifonia trizërëshe, në ditët tona popullaritet më të madh është duke fituar polifonia katërzërëshe. Në strukturë, 4-zërëshi lab reflekton të njëjtat tipare si tre zërëshi, por me një zë +. Ky është “hedhësi” i cili është karakteristik për këngët polifonike të Gjirokastrës, të bregut të detit dhe Himarës, aq të njohura nëpërmjet interpretimeve të grupit polifonik të Xhevat Avdallit dhe Neço Mukos. Deri më sot është pranuar se Neço Mukos i njihet edhe konsolidimi i zërit të “hedhësit” në këngët polifonike të Bregut. Sipas Krutës: ky lloj hedhësi nuk ndjehet në zona të tjera të Labërisë… kemi të bëjmë këtu me një dukuri të rëndësishme e cila duhet të jetë produkt i një njeriu të mësuar dhe ka të ngjarë të jetë këtu Neço Muko (Marioti) që kreu qoftë dhe me intuitë këtë eksperiment sa të thjeshtë në dukje aq edhe interesant në çështje të tingëllimit të polifonisë dhe jo vetëm të asaj të Bregut të Detit por edhe të polifonisë labe në përgjithësi. Në fakt, roli i hedhësit në këngën labe nuk është një dukuri e re. Është e vërtetë se Neço Muko evidentoi nëpërmjet regjistrimeve në vitet ’30 disa tipe këngësh katër zërëshe me rol shumë të zhvilluar të hedhësit, por kjo nuk është arsye e mjaftë për të thënë se si strukturë “hedhësi” nuk ndjehet në zona të tjera në Labëri. Shembujt muzikorë që provojnë ekzistencën e këtij tipi mund të jenë disi më të mëvonshëm, por e rëndësishme është të theksohet se stilema e tij muzikore gjendet rëndom në folklorin muzikor. Një vend shumë të rëndësishëm në këngën katër zërëshe polifonike zë edhe polifonia e qytetit të Gjirokastrës me “marrës”, “prerës”, “hedhës” dhe “iso”. E konsideruar si “këngë pleqërishte”, në të do të konstatojmë një mënyrë shumë të vjetër të kënduari. Ajo që e bën shumë interesante polifoninë katërzërëshe të qytetit të Gjirokastrës është e lidhur me faktin se kënga polifonike vokale ka qënë dhe mbetet alternativa kryesore e muzikës popullore qytetare gjirokastrite. Në ndryshim nga masivi i këngës labe i cili shfaqet më shumë vertikal se sa horizontal, kënga polifonike e qytetit të Gjirokastrës zhvillon dhe shfaq iso-polifoninë më horizontale në gjithë Labërinë. Me sa duket, përsosja e këngës fshatare përreth Gjirokastrës prej të cilës buron kënga qytetare Gjirokastrite, ka ardhur së bashku me rritjen dhe zhvillimin e vetë banorit të Gjirokastrës. Ndryshe dhe si asnjë qytet tjetër, muzika popullore qytetare gjirokastrite nuk pranoi futjen e veglave muzikore muzikore-sazet, siç ndodhi në 99% të qyteteve shqiptaro jugore, por përsosi këngën polifonike të traditës gjë që e vazhdon edhe sot.

Autori: Prof. Dr. VASIL S. TOLE ( Informacioni është marr nga www.vasiltole.com)