Iso-polifonia tre zërëshe është mbizotëruese në repertorin iso-polifonik popullor të fshatrave të Shqipërisë së Jugut, apo e njohur si iso-polifonia vokale, dhe ajo qytetare e shoqëruar me saze. Kjo është forma bazë e shfaqjes së polifonisë sonë, ku zërat janë të individualizuar jo vetëm në pikëpamje melodike, por ata kanë edhe përcaktimet e tyre kuptimplota për rolet që kryejnë. “Marrësi”, “prerësi” së bashku me ison, formojnë trion e përveçme të personazheve të polifonisë sonë vokale. Duhet theksuar se iso-polifonia tre zërëshe në pjesën më të madhe të rasteve është e kënduar nga burrat. Tendencat e sotme e sjellin atë edhe në forma mikste, por tre zërëshi polifonik tradicional është tre zërësh burrash. Kjo formulë origjinale e polifonisë sonë u trashëgua edhe në muzikën popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut, apo siç njihet ndryshe në muzikën iso-polifonike me saze. Tejbartja dhe respektimi i kësaj formule në një terren tjetër (në terrenin e një formacioni qytetar me vegla), ishte ai që përcaktoi qartë sa vijueshmërinë e konceptimit popullor mbi kompozimin e parametrave teknike, aq dhe sigurimin dhe zhvillimin e formulës gjenetike të shprehjes sonë muzikore tradicionale, me mjete të tjera. Që këtej e tutje (fundi i shek. XIX fillimi i shek. XX), gërneta-gërnetisti = marrësi, do të ishte zëri i I (ose ai që “ja thotë”, “ja nis”, “e merr”), violina-dhjolixhiu = prerësi, zëri i II (ose ai që “ja pret”, “ja kthen”, “e thyen”, “ja mban”, “që e merr pas”), dhe llauta me shumë tela-llautari do të zëvendësonte ison masive (në rolin e atyre qe “ja mbushin” “që mbajnë zënë”), kjo e shfaqur si skema e përgjithshme e organizimit të tyre. Në këngën qytetare me saze do të konstatojmë një barazpeshë të sekseve në të kënduarin e repertorit polifonik qytetar. Sot vërejmë krahas polifonisë vokale edhe simotrën e saj, iso-polifoninë me saze, e cila është dukuria më bashkëkohore dhe më e zhvilluar e polifonisë popullore shqiptare. Nga muzika tre zërëshe qytetare me saze do të përmendnim shumë të njohurat muzikë qytetare përmetare, korçare, leskoviqare, vlonjate, delvinjote etj. Gjithashtu tre zërëshi vokal iso-polifonik vazhdon praktikimin dendur të tij në pjesën më të madhe të Toskërisë dhe të Labërisë. Ndër zonat më karakteristike të tre zërëshit polifonik vokal të fshatit do të veçonim polifoninë e Skraparit, Gramshit, Devollit, Gjirokastrës, Kolonjës, Sarandës, Vlorës etj. Sipas Sokolit: gjatë studimit të veçorive të tre-zërëshit polifonik është vënë re kumbimi i brendshëm i zërit të disa këngëtarëve të Shqipërisë juglindore kur ja kthejnë me grykë në këngët polifonike me iso; në këtë rast kemi të bëjmë me një farë “jodelli” shumë karakteristik. Do të theksonim gjithashtu se iso-polifonia 3 zërëshe është pjesë përbërëse e rëndësishme edhe e folklorit koreografik. Bashkekzistenca e polifonisë me folklorin koreografik është një nga format origjinale të bashkëjetesës së muzikës popullore polifonike me koreografinë popullore, si shprehje e lashtësisë së saj. Ashtu siç gjejmë në ndërtimin tipik të polifonisëmarrësin, prerësin dhe ison, ashtu do të konstatojmë edhe në këtë tip të krijimtarisë koreografike këtë strukturë të ngjashme. Në këtë rast, është polifonia e cila ka sugjeruar me strukturën e saj të ndërtimit edhe strukturën përkatëse të valles popullore. Në një fjalë të urtë e cila për të transmetuar mesazhin e saj ka përdorur të dhënat strukturore të valles polifonike thuhet: “Vallen nuk e lot mirë ay që e heq, po ay që ia mban”.

Autori: Prof. Dr. VASIL S. TOLE ( Informacioni është marr nga www.vasiltole.com)